Gjinar, digjet pylli me pisha. Në rrezik dhe disa banesa

09/08/2017 00:00

Një sipërfaqë e konsiderueshme pylli me pisha në Gjinar të Elbasanit është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së martës, ndërsa zjarri ka marrë përmasa të frikshme mesditën e së mërkurës duke rrezikuar edhe një lagje të banuar.

Pylli me pisha, temperaturat e larta dhe era kanë qenë në favor të flakëve dhe ndërhyrja e zjarrfikësve, ushtrisë, punonjësve të bashkisë dhe banorëve nuk ka qenë shumë efikase.

Të gjitha forcat u përqëndruan për të shpëtuar banesat, duke prerë pemët rrotull tyre dhe duke hapur kanale, ndërkohë që terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen në faqen e malit.

Bashkia e Elbasanit ka kërkuar ndërhyrje nga ajri, e cila ka mbërritur në orën 19. Tashmë, edhe me ndihmën e një helikopteri të Emergjencave Civile po punohet për të vënë nën kontroll zjarrin.

Ndërkohë, dhjetëra hektarë pyll me pisha janë djegur tërësisht, ndërsa edhe në këtë rast zjarri mendohet se ka qenë i qëllimshëm.

Top Channel