
Pas disa ditësh letërkëmbimesh dhe takimesh, paraditen e së mërkurës bashkimi i operatorëve në zbatim të urdhërit të ministrit të Drejtësisë, Gazment Bardhi ka dorëzuar në këtë institucion 300 byzlykët e mbikqyrjes elektronike, që kishte marrë në administrim nga Shërbimi i Provës.
Ndërkohë që operatorët dorëzonin pajisjet, drejtori i Shërbimit të Provës, ka sqaruar për mediat se byzylykët i janë lënë në administrim bashkimit të operatorëve në mënyrë që ky shërbim të bëhej më efikas dhe më i shpejtë për tu zbatuar, përsa kohë operatorët janë përgjegjës për vendosjen e pajisjes, mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e saj nga ana teknike.
Në kushte kur këto pajisje janë kërkuar nga ministri që të mbahen në ministrinë e Drejtësisë, kreu i Shërbimit të Provës ka rezervat e tij në lidhje me hallkat burokratike që mund të krijojnë vonesa.
“Cdo hallkë burokratike teorikisht zgjat kohën e reagimit, mendoj që dhe kjo mund të jetë një hallkë e tillë që do të kërkojë kohën e vetë fizike për ta realizuar. Mendoj që e gjitha shkon në “mbingarkesë” të proceseve të cilat ne duhet të vendosim në lëvizje menjëherë sapo të administrojmë urdhrin e ekzekutimit në realizim të këtij shërbimi”, tha Ilir Qafa, drejtor i Shërbimit të Provës.
Në këtë konteks, Qafa u shpreh se edhe publikimi në media i problemit të administrimit të byzylykëve elektronikë, ka krijuar perceptim të gabuar tek personat që i mbajnë.
“Për shkak dhe të ngjarjeve më të fundit kemi pasur joshje ndoshta dhe nga ana juaj është trumbetuar në mënyrë jokorrekte, joshje të subjektit që gjatë ditës së djeshme kanë tentuar të bëjnë heqje të byzylykëve po menjëherë janë kontaktuar nga stafi jonë dhe janë këshilluar të rivendosin shërbimin për të mos kaluar në shkelje nga ana jonë”, tha Qafa.
Kreu i Shërbimit të Provës do të kërkojë që dëmtimet me dashje të byzylykëve elektronike t’i ngarkohen finaciarisht personit që i mban.
Top Channel