Rikualifikimi i parkut në Elbasan, kënd lojrash dhe hapësirë argëtimi

08/08/2017 00:00

I ndërtuar rreth viteve ‘70 dhe i rikonstruktuar në vitin 2002, parku kryesor dhe më i madh i Elbasanit po i nënshtrohet një rikualifikimi të plotë, i cili parashikon edhe krijimin e vendeve të çlodhjes dhe argetimit për të gjitha moshat.

Parku Rinia i Elbasanit gjithashtu do të zgjerohet, duke arritur një hapësirë prej 82 mijë metra katrorë, ndërkohë që projekti parashikon ndërtimin e këndeve të lojrave, fushë basketbolli, kënde fitnes, shatërvane, etj.

“Është rikonceptuar gjithcka, mënyra e funksionimit, sistemi rrugor, mobilimi urban. Gjithcka është rikonceptuar nga e para. Ky sistem rrugor që është sot nuk do të ekzistojë më, përvec rrugës kryesore që përputhet. Pjesa tjetër është rikonceptuar me një sistem që të ketë ndikim minimal në gjelbërim. Mobilimi është menduar në mënyrë funksionale për t’iu shërbyer të gjitha grupmoshave”, deklaron Gentjan Tabaku, drejtor i Projekteve pranë Bashkisë së Elbasanit.

Tabaku shton gjithashtu se në parkun Rinia nuk do të ketë ndërtesa private. Përsa i përket gjelbërimit, atij i është kushtuar një rëndësi e veçantë. Edhe pse do të priten rreth 43 pemë ekzistuese për shkak të projektit, do të mbillen 300 pemë të reja.

Top Channel