Fluksi i mjeteve, 70 kamionë të bllokuar në portin e Barit

08/08/2017 00:00

Fluksi i mjeteve që udhëtojnë me tragete nga Italia drejt Shqipërisë gjatë muajit gusht ka shkaktuar probleme për transportin e disa dhjetëra kamionëve në portin e Barit.

Prej ditësh ata presin të futen në tragetet e linjës për të udhëtuar drejt Durrësit, por pa rezultat.

Agjencitë e biletave dhe kompanitë e lundrimit, duke pasur përparësi automjetet e shumta, kryesisht me familje emigrantësh që kthehen për pushime në atdhe, nuk presin bileta për kamionët për shkak të hapësirës që zënë dhe uljes së fitimit që i shkaktohet kompanive të lundrimit në këtë sezon, që konsiderohet i artë për ta.

Të shqetësuar nga ky bllokim në portin italian, nga ku tragetet nisen të mbushura me kapacitet të plotë, drejtuesit e kamionëve kanë kontaktuar edhe Konsullatën Shqiptare në Bari, por pa marrë asnjë përgjigje prej saj.

Në këto rrethana, ata kanë kërkuar ndihmën e medias për t’i tërhequr vëmendjen autoriteteve përkatëse mbi situatën e krijuar në Bari. Një pjesë e kamionëve janë të ngarkuar kryesisht me lëndë të parë për ndërmarrjet fasone në vend.

Top Channel