Arkivi shkurton afatin e përgjigjeve për kërkesa pronësore dhe biografike

08/08/2017 00:00

Pas prezantimit të aplikacioneve online për vënien në dispozicion të dokumenteve në sallë për studiuesit, Arkiva e Shtetit nga 1 shtatori do të përshpejtojë përgjigjet për qytetarët.

“Afati standard i përgjigjeve për kërkesat biografike do të bëhet 15 ditë nga 23 që ka qenë deri më sot, sërish nëpërmjet parimit ndërkombëtar arkivor të kërkimit me pagesë. Pra, qytetarët do të aplikojnë nga çdo cep i Shqipërisë në filialet qendrore të Postës Shqiptare dhe 15 ditë më vonë do të marrin përgjigjen po me postë për kërkesat biografike. Procedura e përshpejtuar bëhet me tarifë të diferencuar nga procedura standard dhe përgjigja jepet: 5 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat pronësore; 3 ditë nga çasti I aplikimit për kërkesat biografike joshkollore dhe brenda një dite pune për kërkesat biografike shkollore”, tha Elsa Saka, Specialiste Zyra e Shtypit.

Aplikimi me procedurë të përshpejtuar bëhet pranë Arkivit Qendror Shtetëror, ose në Arkivat Shtetërore Vendore, ku ruhet dokumentacioni. Po, cila është kostoja që do të paguajë 1 qytetar i i interesuar për përgjigje më të shpejtë?

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka ruajtur tarifa të njëjta prej më shumë se 10 vitesh, edhe pse shumica e tarifave zyrtare në vend janë rritur prej asaj kohe. Po ashtu, janë tarifa të njëjta me vendet e tjera për shërbimin arkivor. Tarifat standard të aplikimit janë 500 lekë për kërkesat biografike dhe 1500 lekë për kërkesat pronësore, ndërsa për procedurën e përshpejtuar janë 4000 lekë për kërkesat biografike dhe 10 mijë lekë për kërkesat pronësore”, thotë Saka.

Top Channel