
Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence i cilësoi si të turpshme dhe fyese pretendimet e gazetës “New York Times” se ai po përgatitet të kandidojë për Presidencën në vitin 2020.
E përditshmja prestigjioze tha se disa republikanë po zhvillonin një “fushatë hije” bazuar në supozimin se Donald Trump nuk do të kandidojë sërish. Duke cituar burime të shumta, artikulli pohon se Pence ka lënë të nënkuptohet se po planifikon të kandidojë, nëse kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk do ta bëjë.
Por zëvendëspresidenti replikon, duke thënë se raportimet janë thjesht një përpjekje për të përçarë administratën.
“Pretendimet në këtë artikull janë totalisht lajme të rreme dhe përfaqësojnë përpjekjen e fundit të medias për të përçarë administratën. I gjithë ekipi është fokusuar në avancimin e axhendës së presidentit dhe për të parë rizgjedhjen e tij në vitin 2020. Çdo sugjerim tjetër është qesharak e absurd”, tha Mike Pence, zv.president.
Sipas gazetës “New York Times”, problemet në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë hetimet për bashkëpunim të mundshëm mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë, kanë nxitur disa republikanë të ndërmarrin hapa të parakohshëm për administratën e re, gjë që nuk ka ndodhur më parë.
Lajmin e përgënjeshtroi edhe këshilltarja e lartë në Shtëpinë e Bardhë, Kellyanne Conway, e cila tha se bëhej fjalë për një trillim të pastër.
Top Channel