Koreja e Veriut kërcënon SHBA: Hakmarrja jonë, më e madhe

07/08/2017 00:00

“Hakmarrja jonë do të jetë 1.000 herë më e madhe”. Ky ka qenë reagimi i Koresë së Veriut ndaj atij që e quan “komplot i urryer i Shteteve të Bashkuara për të izoluar Penianin”.

Në një komunikatë për shtyp, shteti komunist thekson se masat e Kombeve të Bashkuara nuk do ta detyrojnë vendin të bëjë lëshime mbi programin e tij bërthamor.

Më herët, një zyrtar i Seulit njoftoi se Peniani e kishte cilësuar si të pasinqertë ofertën për bisedime nga fqinji jugor, në një takim të rrallë të nivelit të lartë.

Autoritetet e Koresë së Jugut thanë për median britanike BBC se ministri i jashtëm i vendit, Kang Kyung-wha zhvilloi bisedime me homologun nga Veriu komunist, në vazhdën e një forumi në Manila.

Tensionet janë përshkallëzuar ndjeshëm në gadishullin korean gjatë muajve të fundit, mes testeve të vazhdueshme bërthamore. Këshilli i Sigurimit votoi të shtunën për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Penianit.

Muajin e kaluar, Seuli propozoi mbajtjen e bisedimeve me Veriun për të zbutur tensionet dhe mundësuar ribashkimin e familjeve të ndara nga lufta koreane, por deri më tani Peniani nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.

Media koreano-jugore raportoi se dy ministrat e Jashtëm shtrënguan duart në një takim të shkurtër gjatë një darke zyrtare të organizuar nga Shoqata e Shteteve të Azisë Juglindore. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme koreano-jugore, që konfirmoi takimin për BBC, tha se refuzimi i ofertës për bisedime nga homologu i tij lidhej me sanksionet në rritje ndaj shtetit komunist.

Top Channel