Kodheli: Zjarret, situata dramatike

07/08/2017 10:20

1/3 e ushtrisë shqiptare ka qenë e angazhuar në luftën kundër zjarreve në të gjithë vendin dhe sipas ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, operacionet kanë kushtuar rreth 30 milionë lekë.

Mjetet e ushtrisë, përfshirë helikopterët, kanë qenë përditë në misione për fikjen e flakëve. Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar në përballimin e kësaj situate, megjithëse shuarja e zjarreve nuk është detyrë e saj. Kodheli apeloi që qytetarët të jenë më të kujdesshëm në një kohë kur kushtet klimaterike favorizojnë zjarret.

“Kjo është një situatë dramatike jo vetëm për Shqipërinë, por për Europën mbarë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve për të kontribuar në përballimin e situatës. I bëj thirrje edhe që të mos e krijojnë situatën”, tha Kodheli.

Nga radhët e ushtrisë ka pasur dhe një të lënduar gjatë fikjes së zjarreve. Për këtë, tetarit Skënder Hidri iu akordua dhe një medalje.

“Tetar Hidrit, i cili është plagosur gjatë një operacioni të shuarjes së zjarreve në Shëngjergj të Tiranës, i akordoj Medaljen për Shërbime të Shquara”, u shpreh Kodheli.

Ministrja falenderoi edhe shtetet fqinje që kanë ndimuar në shuarjen e zjarreve në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA