Ekipet e ujësjellësit në Gjirokastër vendosën dhjetëra gjoba si dhe ndërmorën masa për ndërprerjen e furnizimit me ujë për shpërdoruesit në lagjet e sipërme të qytetit.

Uji në këto raste përdorej për vaditjen e kopshteve dhe shkaktonte humbje të konsiderueshme të sasisë së tij.

Bashkim Tola, kreu i UKGJ, tha: “Kemi probleme sidomos në lagjet e sipërme të qytetit. Po përdoret uji pa kriter. Inspektorati i punës ka funksionuar me gjoba dhe në oraret e furnizimit”.

Thatësira e madhe dhe reduktimi i prurjeve në burimet që furnizojnë me ujë të pijshëm Gjirokastrën po sjellin vështirësi në menaxhimin e situtës së furnizimit me ujë të pijshëm për më shumë se 40% të banorëve të bashkisë.

“Furnizimi me ujë ka qenë i plotë, nuk kemi patur probleme. Por, rrjetet e brendshme, që janë të amortizuara, të vjetëruara dhe kanë rrjedhje, kanë nevojë për zëvendësim në një pjesë të fshatrave”, shtoi Tola.

Për kreun e ujësjellësit, problem mbeten edhe depozitat të cilat nuk përdoren dhe janë shkëputur nga rrjeti. Sipas tij, erërat e stinëve të vjeshtës dhe dimrit rrezikojnë rrëzimin e tyre dhe për pasojë lëndimin e kalimtarëve poshtë shtëpive.

“Ujësjellës-Kanalizimet, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, do të propozojë largimin e depozitave, për arsye se duhet miratimi për largimin e tyre. Për procedurën e largimit, do të bashkërendohet me bashkinë”, shpjegoi Tola.

Top Channel