“Brexit”, Britania gati të paguajë faturën e kripur. “No10” e mohon

06/08/2017 00:00

Britania duket e gatshme dhe e përgatitur të paguajë plot 40 miliardë euro (36 mld paund) për të zgjidhur çështjen e faturës së divorcit me Brukselin. Të paktën kështu pretendon një raportim i “Sunday Telegraph”, edhe pse burime qeveritare britanike e kanë mohuar atë.

“Sunday Telegraph” thekson se ka biseduar me “tri burime të ndryshme të niveleve të larta”, që kanë konfirmuar planin sipas të cilit Britania e Madhe do të paguajë 10 miliardë euro në vit për 3 vitet e para pas shkëputjes nga BE-ja në vitin 2019, pjesë e një shume që do të kapte vlerën e përgjithshme prej 40 mld eurosh.

Javën e kaluar, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se fatura e përgjithshme mund të kapë edhe vlerën e 54 miliardë eurove. Por, artikulli i medias britanike sugjeron se Britania mund të jetë e gatshme të ofrojë një kompromis, duke lejuar dy palët që të përafrohen në diskutimet e kontureve të marrëdhënies së ardhshme të tregtisë.

Gjithsesi, një burim i lartë qeveritar është shprehur për “Sky Neës” se raporti nuk ishte korrekt në tërësi, e shtoi se në radhët e qeverisë nuk dihet se nga ka buruar ky spekulim.

“Downing Street” ka refuzuar të bëjë ndonjë koment zyrtar, ndërsa thekson vetëm se negociatat janë duke vijuar. Bashkimi Europian këmbëngul se duhet bërë “progres i mjaftueshëm” në zgjidhjen financiare, te të drejtat e qytetarëve europianë në Britani dhe qytetarëve britanikë në BE, së bashku me çështjet e kufirit me Irlandën, përpara se bisedimet të avancojnë më tej.

Qeveria britanike gjithsesi ka pranuar se do të punojë drejt një “zgjidhjeje të drejtë” sa i përket “të drejtave dhe detyrimeve të saj si anëtar në largim i BE-së”.

Top Channel