Maqedoni, dritë jeshile gjuhës shqipe. Qeveria miraton projektligjin

05/08/2017 00:00

Qeveria në Shkup ka miratuar më në fund projektligjin për përdorimin e gjuhëve, ligji shumë i debatuar dhe i kërkuar me forcë nga partitë shqiptare në Maqedoni.

Në projektligj, i cili tashmë pritet t’i kaloi Kuvendit për diskutime në muajin shtator, parashikohet se veç gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare është dhe shqipja dhe alfabeti i saj.

Ndërkaq, të shtunën kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar dhe nga zv.kryeministri Hazbi Lika, për të njohur opinionin publik me këtë nismë të qeverisë zgjodhën Ohrin, qyteti ku 16 vite më parë u firmos marrëveshja që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni.

Në një prononcim për Top Channel, zv.kryeministri Lika sqaroi se në mbledhjen e së premtes nuk pati debate për këtë projekt-ligj.

“Sepse kishim ndërtuar qëndrim të përbashkët para se të hynim në mbledhjen e qeverisë. Shpresojmë që edhe në Parlament të gjithë deputetët e partitë, në pozitë apo opozitë, të përkrahin këtë pr/ligj”, deklaroi Lika.

Duke u ndalur tek dërgimi i tij në Komisionin e Venecias, Lika theksoi se kjo nuk do të sjellë asnjë pengesë për zbatimin e ligjit.

“Vendimi është që ligji të shkojë me procedurë të shpejtë në Parlament dhe më pas do të shkojë për mendim në Komisionin e Venecias. Edhe nëse ka vonesa nga Venecia, ligji do të hyjë në fuqi dhe do të zbatohet”, tha Lika.

Por në Venecia do të dërgohen dhe dy pika të ligjit, për të cilat nuk është gjetur dakordësia. “Do të jenë dy norma për të cilat nuk kemi gjetur qëndrim të unifikuar. Është çështja e parave dhe uniformave të Mbrojtjes, që bashkë me ligjin duhet të shkojnë pa trajtim në Komisionin e Venecias”, vijoi Lika.

Zv.kryeministri Lika nënvizioi se shqiptarët e Maqedonisë duhet të jenë të kënaqur nga ky ligj, i cili përmbush të gjitha detyrimet. Ndërsa në fund, ai pati dhe një mesazh për opozitën.

“Nuk besoj se do ketë ndonjë kritikë të rreptë sepse kemi bërë kujdes me hartimin e ligjit, që të mos cënohet Kushtetuta e vendit dhe të gjitha amendamentet e normat e Marrëveshjes së Ohrit”, shtoi Lika.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta