Banorë të Lunikut në Librazhd janë mbledhur për të festuar mes tyre, në një organizim i cili tashmë është kthyer në traditë. Kjo festë ka mbledhur bashkë jo vetëm ata që jetojnë ende në këto fshatra, por edhe ata që prej vitesh janë larguar apo vizitorë të tjerë të cilët kanë dëgjuar për bukuritë natyrore të zonës.

“Është një festë shumë e bukur, e cila ka vite që vazhdon. Kjo festë është shumë popullore dhe të gjithë pjesëmarrësit mbeten të kënaqur”, shprehet një prej banorëve.

Kanë qenë të pranishëm në këtë festë edhe deputeti Taulant Balla, i cili tha se detyrimi i pushtetit është të ofrojë më tepër infrastrukturë mbështetëse që këto zona të zhvillohen.

“Është detyra jonë që në vitet që pasojnë që të ketë më shumë infrastrukturë mbështetëse. Ndërkohë ftesa ime është për investitorët, të cilët duhet të investojnë në turizmin malor. Librazhdi është një destinacion sa shumë pranë Tiranës, po aq edhe i volitshëm për investime në këtë sektor”, tha Taulant Balla, deputet i PS.

Për kryetarin e Bashkisë së Librazhdit këto zona po bëhen gjithnjë e më shumë të aksesueshme duke bërë, sipas tij, që Shqipërisë t’i shtohet një hartë e re turistike.

“Këtu ndodhet shpella e akullit, një destinacion turistik i jashtëzakonshëm, mund të jetë një nga shpellat më të rralla në të gjithë Shqipërinë. Por në fakt, kjo shpellë nuk është e vetmja në Bashkinë e Librazhdit, pasi destinacione dhe objekte të tilla ka pafund”, thotë kryetari i Bashkisë së Librazhdit,  Kastriot Gurra.

Top Channel