
Lideri i Shtëpisë së Bardhë do të përpiqet të rrisë presionin ndaj Kinës që ajo të ndryshojë praktikat e saj tregtare dhe të bëjë më shumë për të ndalur programet e armëve të Koresë së Veriut.
Sipas njoftimeve në shtypin financiar, Presidenti Donald Trump mund të nënshkruajë një urdhër për nisjen e hetimeve rreth kërkesave që thuhet se Kina u bën kompanive të huaja që ato t’i japin asaj sekrete teknologjike në këmbim të hapjes së tregut të madh kinez për këto firma.
Hetimi mund të çojë në rritjen e tarifave ndaj prodhimeve kineze të destinuara për në tregun amerikan, më i madhi në botë. Ekspertët e tregtisë paralajmërojnë se një hap i tillë mund të shkelë angazhimet e SHBA në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Siç pohon Zëri i Amerikës, sekretari amerikan i tregtisë Wilbur Ross, kohët e fundit ka shkruar se praktikat tregtare të Kinës, duke përfshirë transferimin e detyruar të teknologjisë, janë të padrejta, dëmtojnë eksportet e SHBA dhe kontribuojnë në deficitin prej 347 miliardë dollarësh në tregtinë e mallrave midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Kur ishte kandidat për president, Trump e kritikonte ashpër Kinën sa i përket çështjeve të tregtisë. Ai ka thënë gjithashtu se Kina, si fqinj i Koresë së Veriut dhe partnerja kryesore tregtare e saj, mund të bëjë shumë më tepër për të ndalur përpjekjet e Phenianit për përmirësimin e teknologjisë bërthamore.
Ekspertët paralajmërojnë se testet raketore e balistike të Koresë së Veriut tregojnë se Pheniani është një kërcënim në rritje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel