
Në një fjalim sfidues të mbajtur në orët e vona të së premtes në Virxhinian perëndimore, presidenti amerikan Donald Trump i quajti “krejtësisht të trilluara” pretendimet për lidhjet e fushatës së tij me Rusinë.
Para mbështetësve në Huntington numri një i Uashingtonit tha se sajimi i historive të tilla i bën kundërshtarët të ndihen më mirë pas humbjes në zgjedhjet e vitit të kaluar.
“Historia e Rusisë është një trillim i pastër. Është vetëm një pretekst për humbësit më të mëdhenj në historinë e politikes amerikane. Ajo që duhet të bëjnë prokurorët është të hetojnë çështjen e 33 mijë emaileve të fshira nga Hillary Clinton”, deklaroi ai.
Deklaratat e tij erdhën pak orë pasi gazeta “The Wall Street Journal” njoftoi se prokurori i posaçëm Rober Mueller ka organizuar ngritjen e një jurie të madhe, duke zgjeruar dukshëm hetimet e tij lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.
Media amerikane sugjeron se ky është hapi i parë drejt ngritjes së akuzave të mundshme kriminale. Sipas agjencisë se lajmeve Reuters, juria është thirrur lidhur me takimin e zhvilluar ne qershor te 2016-tës mes presidentit Donald Trump dhe një avokateje ruse.
Analistë të cituar nga zëri i Amerikës theksuan seriozitetin e hapit të ndermarrë nga Mueller. Sipas Anthony Clark, profesor në Universitetin e Georgetown, nëse prokurori ka ngritur një juri te madhe, kjo mund të sinjalizojë se ai ka prova të rëndësishme që mund të tregojnë se është kryer një vepër penale.
Televizioni CNN njoftoi të enjten se hetimi i Mueller është zgjeruar duke përfshirë ekzaminimin e “shkeljeve të mundshme financiare nga ana e Trumpit apo bashkëpunëtorëve të tij. Për Trumpin kjo nënkupton shkeljen e vijës se kuqe, siç është shprehur më herët në një intervistë.
Top Channel