Heroi kibernetik, Hutchins në pranga për pirateri

04/08/2017 00:00

Tre muaj më parë u konsiderua heroi që shpëtoi botën nga virusi WannaCry, por tashmë Marcus Hutchins e gjen veten në anën tjetër të ligjit dhe të hekurave, pasi u arrestua nga policia amerikane në Las Vegas.

23-vjeçari akuzohet se është përfshirë në rrethin e virusit kronos, i cili përdoret për të vjedhur informacione bankare nga kompjuterat e viktimave.

Hutchins, një inxhinier i sigurisë kibernetike nga Britania, u bë i famshëm kur ndaloi sulmin kibernetik ndaj Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në maj.

Hutchins gjendej në SHBA për të marrë pjesë në DefCOn, një konferencë sigurie kibernetike, por prej dy ditësh ai nuk ishte më aktiv në Twitter. Policia amerikan lajmëroi se ai u arrestua më dy gusht dhe është paditur me gjashtë akuza për krijimin dhe përhapjen e virusit Kronos.

Departamenti amerikan e drejtësisë tha se Hutchins u hetua nga FBI dhe krimet për të cilat akuzohen kanë ndodhur në vitet 2014 dhe 2015.

Kolegët dhe familjarët e Hutchins thanë se nuk i besojnë këtyre akuzave dhe se SHBA ka gabuar rëndë. Ndërsa qendra britanike e sigurisë kibernetike tha se pavarësisht habisë që ka shkaktuar arrestimi i Hutchins, duhet pritur fundi i hetimeve dhe komentet e tepërta janë të papërshtatshme.

Top Channel