
Një ditë pasi ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj bëri apel që të shpallej gjendja e emergjencës për shkak të zjarreve në vend, Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka thirrur në një takim urgjent këtë të fundit.
Demiraj ka qëndruar për rreth 45 minuta në zyrën e Presidentit, ku burime thonë për Top Channel se ministri i Brendshëm ka informuar kreun e shtetit lidhur me situatën e zjarreve në vend, rolin e Policisë së Shtetit dhe angazhimin e Emergjencave Civile në betejën me flakët.
Presidenti Ilir Meta vlerësoi maksimalisht dhe inkurajoi punën e forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësive të emergjencës, si dhe drejtuesve të pushtetit vendor për të neutralizuar zjarret e për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të prekur nga këto vatra zjarri.
Nga ana tjetër, Presidenti Meta i bëri thirrje dhe nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre për koordinimin në kohë dhe me efektshmërinë e duhur të marrjes së masave të emergjencës, për t’u ardhur në ndihmë zonave dhe qytetarëve të prekur nga zjarret.
Top Channel