Skandali i vezëve me substanca toksike. Tërhiqen nga tregu

03/08/2017 00:00

Miliona vezë janë tërhequr nga tregu dhe magazinat në Gjermani, Holandë e Belgjikë, pasi u zbulua se ato përmbanin nivele të larta të një insekticidi toksik të ndaluar për t’u përdorur në prodhimin e ushqimeve për përdorim njerëzor.

Rreth 180 ferma në Holandë janë mbyllur përkohësisht, ndërsa një hetim është nisur nga autoritetet, që kërkojnë të vënë nën kontroll problemin në shkallë të gjerë. Rreth një milion vezë të destinuara për në Gjermani janë tërhequr nga kufiri me Holandën gjatë kësaj jave.

Testet e glasave dhe gjakut të pulave, si dhe vezëve të tyre kanë shfaqur nivele të larta të insekticidit “fipronil”, një përbërës i zakonshëm mes produkteve veterinare për të hequr qafe pleshtat, morrat dhe rriqrat, por i ndaluar për t’u përdorur në trajtimin e kafshëve për përdorim njerëzor.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, substanca tejet toksike mund të dëmtojë mëlçinë, gjendrat tiroide dhe veshkat, nëse merren në sasi të mëdha me kalimin e kohës.

Prokurorët belgë kanë thënë se po hetojnë listën e klientëve të dy kompanive në rajonin Flamand të specializuara në prodhimin dhe furnizimin e agjentëve kundër morrave. Dyshohet se, një insekticid që është ligjërisht i përdorshëm për të ruajtur pulat nga këto keqbërës është përzierë me substancën e paligjshme për të rritur efektshmërinë e saj.

Gazeta holandeze “Trouw” sugjeron se njëra nga kompanitë mund të ketë klientë në Britaninë e Madhe, Francë dhe Poloni, edhe pse nuk ka të dhëna aktualisht nëse vezët e kontaminuara janë shitur në këto vende.

Një e përditshme tjetër holandeze, “De Volkskrant” raporton se përzierja ilegale është përdorur në fermat në Holandë prej më shumë se një viti. Megjithatë, bordi i sigurisë së produkteve ushqimore “NVWA” tha për këtë gazetë se është ende e panjohur nëse vezë të kontaminuara janë shitur te klientët përgjatë periudhës. “Nuk kemi mundësi të bëjmë kontrolle, sepse vezët janë konsumuar tashmë”, tha një zëdhënës.

Top Channel