
Kryeministri rus Dimitri Medvedev tha se sanksionet e reja të vendosura nga SHBA janë kambanat e një lufte tregtare me Moskën.
Sipas tij, masat e nënshkruara nga Donald Trump dëshmojnë impotencën e plotë të Presidentit amerikan që, sipas tij, është poshtëruar nga Kongresi. Ligji synon të dënojë Rusinë për ndërhyrjen e supozuar në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe veprimet e saj në Ukrainë.
Trump akuzoi Kongresin se e kishte ekzagjeruar me legjislacionin. Me nënshkrimin e sanksioneve të mërkurën, ai lëshoi edhe një deklaratë që e quante masën të padobishme. Legjislacioni kufizon sasinë e parave që amerikanët mund të investojnë në projekte ruse të energjisë dhe e bën më të vështirë për kompanitë amerikane biznesin me Rusinë.
Duke shkruar në faqen e tij në Facebook të mërkurën, Medvedev tha se paketa e sanksioneve i jep fund shpresave për përmirësimin e marrëdhënieve me administratën e re amerikane. “Regjimi i sanksioneve është kodifikuar dhe do të qëndrojë në fuqi për dekada në rast se nuk ndodh një mrekulli. Rusia do të vazhdojë me qetësi që të zhvillojë ekonominë e saj, pavarësisht sanksioneve”, shkroi Medvedev.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar ndërkohë se pavarësisht se Presidenti Trump beson se Kongresi e kishte ekzagjeruar, ai e kishte nënshkruar ligjin në interes të unitetit kombëtar.
Top Channel