Tiranës i mungon deti si atraksion turistik veror, por nuk i mungojnë muzetë dhe galeritë e artit, të cilat gjatë gjithë periudhës së verës janë të hapura vizitorët, që këtë verë kanë qenë të shumtë.

Vizitorët e huaj janë ata që kanë shfaqur më së shumti interes ndaj këtyre destinacioneve kulturore, por nuk mbeten pas edhe shqiptarët, të cilët gërshetojnë historinë e kulturën në një vizitë pasdite në kryeqytet.

Në Muzeun Historik Kombëtar, muzeun më të madh në vend, për tre muajt e verës kanë qenë 6.400 vizitorët që kanë vizituar pavijonet e tij. Vendndodhja në zemër në Tiranës i jep këtij muzeu pasaportën e prezantimit të parë të të huajve me kryeqytetin.

Galeria Kombëtare e Arteve është një tjetër pikëtakimi me artin figurativ. Nga maji deri në fund korriku 6.650 janë vizitorët, ku 70 % e tyre janë të huaj, por edhe shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve.

Muzeu më i ri që i është shtuar Tiranës prej vetëm 2 muajsh, ka ngjallur interesin e 3.200 vizitorëve: 1.700 vendasve dhe 1.500 të huajve.

“Interesi më i madh në fillim ka qenë i vendasve në fakt. Numri i vendasve ishte më i madh, ndoshta edhe për shkak të interesit shumë të madh që ngjall ky muze. Me muajin korrik kemi predominimin e të huajve në krahasim me vendasit”, shprehet Sinkron Etleva Demollari, drejtore “Shtëpia me gjethe”.

Kurioziteti për atë çka fshihej përtej shtëpisë më të përgjuar në vend gjatë diktaturës komuniste, vijon të mbetet i lartë.

“Kanë qenë Ambasadori Amerikan Donald Lu, Ambasada Italiane, Ambasada Amerikane ka sjellë gjithë personelin e vet e madje të gjithë të huajt, diplomatë, delegacione që vijnë nga Ambasada Amerikane, vijnë e vizitojnë edhe “Shtëpinë me gjethe”. Ka një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkinë, ka promovuar muzeun. Kemi shumë vizitorë të huaj që e njohin muzeun nga guida turistike që përgatit Bashkia”, thotë Demollari. 

Top Channel