Zjarri në Dukat, ushtria dhe banorët për shuarjen e flakëve

02/08/2017 00:00

Disa hektarë pyje me pisha janë shkatërruar në zonën e Dukatit prej zjarrit të rënë gjatë ditës së martë.

Situata ka qenë shumë alarmante, ku forca të shumta zjarrfikësish dhe punonjës të policisë, të mbështetur dhe nga banorë të zonës janë munduar për neutralizimin e flakëve deri në orët e para të ditës së sotme.

Në ndihmë të flakëve ka qenë edhe era që frynte nga jugu, çka ndikoi që zjarri të merrte përmasa të mëdha. Zjarrfikësit e kishin të vështirë të ndërhynin në kohë, pasi dhe terreni nuk lejonte futjen e zjarrfikseve, çka i ka detyruar efektivët të përdorin mjete rrethanore.

Në ndihmë erdhën edhe forca të ushtrisë, të cilët kanë luftuar me flakët për shuarjen e tyre.

Situatën e ndoqi nga afër edhe kreu i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli.

Situata vijon të jetë problematike, pasi zjarri është riaktivizuar, edhe pse për shuarjet e tij ka ndihmuar nga ajri një helikopter.

Top Channel