
Prodhuesit gjermanë të makinave kanë rënë dakord së bashku me politikanët më të lartë të vendit, që të kufizojnë emetimet e dëmshme nga automjetet duke përmirësuar programet në rreth 5 milionë automjete me naftë.
Programi i ri i menaxhimit të njësisë motorike do të përmirësojë sistemet e filtrimit të emetimeve për të pakësuar nivelet e oksideve toksike të azotit me 25-30%, njoftoi shoqata specifike e kësaj industrie “VDA”.
Industria e prodhimit të automjeteve është vënë nën presion të madh që kur skandali i emetimeve të makinave me naftë nxori në pah mashtrimin për të manipuluar rezultatet e testeve. Bisedimet vijuan edhe pas arritjes së marrëveshjes, gjatë samitit që është zhvilluar këtë të mërkurë në Berlin.
Marrëveshja, siç lexohet në deklaratën e “VDA”-së në gjermanisht, është miratuar nga Daimler, BMË, Volksëagen dhe Opel. Firmat e famshme janë pjesë e rëndësishme e ekonomisë gjermane, duke ofruar mbi 800 mijë vende pune.
Pak pasi u njoftua marrëveshja, një burim pranë negociatave tha për “Reuters” se bisedimet mes disa ministrave të kabinetit, kryeministrave rajonalë dhe bosëve të makinave janë duke vijuar në grupe të ndara.
Presioni ndaj tyre për të kufizuar ndotjen u rrit edhe më shumë javën e kaluar, kur një gjykatë në Shtutgart la në fuqi propozimin për të ndaluar makinat e vjetra me naftë që të qarkullojnë në qytet. Shtutgarti është qyteti ku kanë selitë e tyre Mercedesi dhe Porsche, e një nga pikat më të ndotura në të gjithë Gjermaninë.
Sipas korrespondentit të BBC-së në Berlin, ndotja e ajrit i kalon limitet ligjore në shumë qytete gjermane. Kjo është kthyer në një dhimbje koke për industrinë e automobilave, sikurse edhe për politikanët gjermanë, pikërisht tani përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 24 shtatorit. Megjithatë, Gjermania zor se do të angazhohet për dhënien fund të prodhimit të automjeteve me motorë me djegie të brendshme në një kohë të afërt.
Ndryshe nga ajo, Franca dhe Britania planifikojnë t’i japin fund shitjes së makinave me karburant fosil nga viti 2040. Kjo, edhe pse kalimi drejt makinave elektrike ka shpenzime tejet të mëdha dhe jo vetëm sepse duhen pika karikimi në shumë vende.
Top Channel