
Princi Philip, bashkëshorti 96-vjeçar i monarkes britanike Elizabeth, do të tërhiqet nga jeta publike këtë javë pas dekadash në krah të saj.
Duka i Edinburgut do të marrë pjesë në një paradë të Marinës Mbretërore në “Buckingham Palace”, duke shënuar fundin e 65 viteve të tij në shërbim. Ai njoftoi tërheqjen nga detyrat publike në maj.
Në fakt ka 5 vite, që kur “Buckingham Palace” lajmëroi se Duka do të tërhiqej gradualisht nga detyrat e tij, edhe pse ai i çoi deri në fund shumë prej tyre. Vetëm në vitin 2016, ai mori pjesë në 200 ngjarje dhe vazhdoi të përfaqësojë familjen mbretërore me stilin e tij të spikatur.
I martuar me Mbretëreshën Elizabeth prej 69 vitesh, Princi është i njohur për inteligjencën dhe humorin e tij. Në prill të 2016-s, ai shkaktoi të qeshura kur mori timonin për të shoqëruar presidentin amerikan Barack Obama dhe Zonjën e Parë Michelle, gjatë vizitës së tyre në Britani.
Prej kohësh, shëndeti i tij monitorohet jo vetëm nga Pallati, por edhe nga mediet britanike dhe publiku. Pavarësisht shtrimit në spital së fundmi, për shkak të një infeksioni, Princi Philip është në shëndet të mirë për një burrë të moshës së tij.
“Princi Philip është i njohur për refuzimin e komplimenteve të çfarëdolloji. Por, sidoqoftë, ai ka qenë për mua një forcë e vazhdueshme dhe një guidë”, do të thoshte vet Mbretëresha Elizabeth në vitin 2012.
Philip nuk ka pasur role kushtetuese, por në vitin 1952, Mbretëresha deklaroi se ai kishte vend dhe prioritet përkrah saj në të gjitha ngjarjet dhe takimet, përveç atyre që përcaktohen nga aktet e Parlamentit.
Edhe tani, pas tërheqjes, Philip do të vazhdojë të jetë president apo anëtar i qindra organizatave bamirësie dhe do të jetë mbështetja e Mbretëreshës dhe shoku më i mirë i saj në sferën private.
Top Channel