
Departamenti amerikan i Shtetit e ka cilësuar “të paarsyeshme” dhe “për të ardhur keq”, kërkesën e Moskës për zvogëlimin e personelit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Rusi me 755 vetë, e shton se Uashingtoni është duke shqyrtuar përgjigjen e mundshme.
“Ne po vlerësojmë ndikimin e një kufizimi të tillë dhe mënyrat e kundërpërgjigjes ndaj tij”, thuhet në deklaratën e DASH.
Kërkesa e Vladimir Putinit, që Shtetet e Bashkuara ta tkurrin numrin e personelit në Rusi, erdhi pas miratimit të sanksioneve të reja kundër Rusisë në të dy dhomat e Kongresit amerikan.
Përgjigjja e Rusisë pritet t’i acarojë më tej tensionet mes Moskës e Uashingtonit. Megjithëse dëbimi i diplomatëve amerikanë ishte njoftuar që të premten, numri i tyre u bë i ditur të dielën gjatë një interviste të shefit të Kremlinit me televizionin “Rossiya 1”.
Putin shtoi gjithashtu se, Rusia mund të shqyrtojë në të ardhmen masa të tjera shtesë kundër Shteteve të Bashkuara, si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane. Një numër i madh i mbi 1.000 punonjësve të misioneve amerikane në Rusi, të cilat përfshijnë Ambasadën në Moskë dhe konsullatat në Shën Pjetërburg, Vladivostok dhe Jekaterinburg, janë punonjës vendas.
Sanksionet e Uashingtonit ndaj Rusisë u vendosën pjesërisht për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, një përfundim i arritur nga agjencitë amerikane të zbulimit, si dhe për të ndëshkuar më tej Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014.
Top Channel