
Këtë të dielë, venezuelianët votojnë për trupën më të lartë kushtetuese në vend, që pritet t’u japë fuqi të reja zyrtarëve në pushtet të Partisë Socialiste, e me shumë gjasa do të zgjerojnë regjimin e tyre jopopullor në kombin e OPEC-ut të pllakosur nga skamja.
Presidenti Nicolas Maduro, ndaj të cilit ka një pakënaqësi të gjerë për shkak të drejtimit që po i jep ekonomisë së shthurur venezueliane, ka premtuar se Asambleja e re Kombëtare do të sjellë paqen pas protestave 4-mujore të opozitës, gjatë të cilave janë vrarë mbi 115 persona.
Partitë opozitare kanë bojkotuar ato që i quajnë si zgjedhje të manipuluara, ndërsa simpatizantë të tyre kanë planifikuar demonstrata anembanë vendit gjatë ditës së sotme, duke shtuar sërish perspektivën e përleshjeve të dhunshme me forcat e sigurisë.
Kritikët thonë se Asambleja do t’i lejojë Maduros të shpërbëjë Kongresin e kontrolluar nga opozita, të shtyjë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të rishkruajë Kodin Zgjedhor për të ndaluar mposhtjen me votë të socialistëve.
Votimi, që vjen pas shtyrjes së zgjedhjeve rajonale dhe refuzimit të vazhdueshëm të Maduros për të konsideruar vendimet e marra nga Kongresi, është dënuar nga shumë palë globale.
Shtetet e Bashkuara, tregu më i madh për naftën venezueliane, vendosi sanksione gjatë javës së kaluar për 13 udhëheqës të Partisë Socialiste të Venezuelës, pjesërisht si kundërpërgjigje e këtyre zgjedhjeve. Administrata e presidentit Donald Trump ka premtuar masa të tjera ekonomike, nëse votimi do të zhvillohej.
Edhe Kolumbia fqinje ka njoftuar se nuk do ta njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. “Duke nisur nga nesër do të bëhet e qartë se ky proces, jo vetëm që ka qenë një mashtrim kushtetues, por edhe gabimi më i madh historik që Maduro dhe mafia e tij mund të kenë bërë ndonjëherë”, tha udhëheqësi i opozitës, Freddy Guevara, në një konferencë për shtyp të shtunën.
Top Channel