Gjeorgjia stërvitje të përbashkët me SHBA, Rusia tregon forcën

30/07/2017 00:00

SHBA dhe Gjeorgjia kanë nisur stërvitjen më të madhe të përbashkët të tyre ndërkohë që vendi në kaukaz kërkon të bëjë një hap më pranë anëtarësimit në NATO.

Në stërvitjen ushtarake SHBA-Gjeorgji, të quajtur Noble Partner, janë përfshirë rreth 1600 trupa amerikane dhe 800 gjeorgjiane dhe ajo do të zgjasë deri më 12 gusht.

Ministri gjeorgjian i mbrojtjes tha se stërvitja e paprecedent do të qartësojë mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s, veçanërisht SHBA-së, për Gjeorgjinë.

 “Unë mendoj se stërvitja nuk drejtohet kundër asnjë vendi. Ka si qëllim vetëm të ndihmojë Gjeorgjinë që të rrisë kapacitetet e saj për të ndërvepruar në operacione ndërkombëtare, si p.sh në Afganistan. Dhe ka si qëllim të ndihmojë në integrimin e Gjeorgjisë në komunitetin e vendeve”, u shpreh Ian Kelly, ambasador i SHBA në Gjeorgji.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, do të vizitojë Gjeorgjinë gjatë kësaj jave dhe pritet të mbështesë planin e saj për anëtarësim në NATO, që në anën tjetër kundërshtohet ashpër nga Rusia.

Edhe vetë kjo e fundit ka demonstruar forcën e saj të dielën, me presidentin Putin që ndoqi një paradë të marinës në Shën Pjetërburg, në ditën kombëtare të kësaj të fundit. Rreth 50 luftanije dhe nëndetëse u panë në gjirin e Finlandës dhe në lumin Neva pranë Shën Pjetërburgut.

“Marina nuk po kryen vetëm detyrat e saj tradicionale, por edhe po i përgjigjet sfidave të reja, duke dhënë një kontribut domethënës në luftën kundër terrorizmit dhe piraterisë”, u shpreh presidenti Vladimir Putin.

Kishte edhe të tjera parada në vend dhe Rusia shpalosi fuqinë e saj detare edhe në bazën siriane Tartus.

Top Channel