Ujësjellsi i Korçës, një model suksesi

29/07/2017 00:00

Korça prej 15 vitesh nuk e vuan më problemin e ujit të pijshëm, falë projektit, i cili bëri të mundur sistemimin e rrjetit dhe kanalizimeve për qytetin juglindor.

Nga viti 2003 e deri më sot, qytetarët e Korçës marrin shërbim me ujë të pijshëm, 24 orë në 24.

Përgjatë ditëve të fundit, Korça është lakuar si një model pozitiv sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe menaxhimit.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo tregon se si u realizua ky investim, ndërsa sjell eksperiencën e këtij qyteti, ku një m3 ujë paguhet 65 lekë.

“Fakati që Korça përmendet si një model suksesi, sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, ju dedikohet tre faktorëve, investimit të bërë, menaxhimit dhe mirëkuptimit të qytetarëve, ë ky investim duhet të shoqërohej edhe me një rritje të tarifës që ata paguajnë për të marrë këtë shërbim”, u shpreh kreu i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Qytetarët shprehen të kënaqur si nga shërbimi, ashtu edhe nga furnizimi me ujë. Likuiditeti i lartë i faturave në Korçë, është gjithashtu dëshmi e vetë rëndësisë që ka për qytetarët, furnizimi me ujë të pijshëm.

“Tani ka ujë në çdo vend. I paguajmë të gjitha faturat, jemi të rregullt. Nuk na kalon muaji pa e paguar”, shprehet një qytetare.

“Ujë kemi 24 orë dhe pa pushim”, shprehet një tjetër qytetar.

Përveç furnizimit me ujë të pijshëm, 24 orë, qyteti i Korçës ka edhe një rrjet të ri të kanalizimeve, çka bën të mundur edhe menaxhimin dhe përpunimin e ujrave të përdorura.

Top Channel