Uashingtoni si Hollivud, dinamika e personazhe filmash

29/07/2017 00:00

Dinamikat që kanë trazuar Uashingtonin këto ditë do të frymëzonin çdo skenarist në Hollivud, e në fakt elementët dramatikë të një filmi janë të gjithë.

Protagonistët kryesorë kanë qenë senatori republikan John McCain, ku pas operimit për heqjen e një tumori në tru, u rikthye nga Arizona për të votuar kundër shfuqizimit të “Obamacare”, e gjithashtu Anthony Scaramucci, drejtori i ri i komunikimit.

McCain, sipas mediave italiane, të sjellë ndërmend heronjtë e filmave të Clint Eastwood. Pavarësisht telefonatës së presidentit që u përpoq ta bindte për të votuar në favor të shfuqizimit të reformës shëndetësore, e apelit të zëvendëspresidentit, Mike Pence, në një fjalim të drejtpërdrejtë televiziv, senatori nuk u lëkund.

Hëngri qetësisht një picë në zyrën e tij, e më pas votoi kundër partisë së tij, duke i shkaktuar një humbje të rëndë Donald Trump-it. Por edhe drejtori i ri i Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci me balluken e ngritur si ndonjë personazh italo-amerikan i filmave të Scorcese-s dhe veshjet prej të pasuri nga Wall Street-i, është një personazh i denjë filmi.

I njohur me pseudonimin “The Mooch”, ai përdori një arsenal fjalësh fyese në një telefonatë me gazetën “New Yorker” dhe e pranon edhe vetë që ka një fjalor të pistë.

Scaramuci i pagoi 100 mijë dollarë producentëve të Wall Street në mënyrë që logoja e fondit të shfaqej në film. Nuk mund të mos përmendet as dalja nga skena e Sean Spicer, i tallur shpesh nga mediat për mungesën e argumenteve.

Top Channel