Veliaj: Kujdes mem mirëmbajtjen e zonave pyjore

28/07/2017 00:00

Bashkia bën thirrje që banorët e zonave me kullota apo zonat pyjore në Tiranë të tregojnë kujdes në mirëmbajtjen e tyre duke iu referuar kështu situatës së zjarreve me të cilat po përballen zjarrfikësit muajin e fundit. Hapja e kullotave të reja sipas Erion Veliajt është një kosto e madhe për autoritetet kur zjarri merr përmasa të pakontrollueshme.

“Nëse për të liruar 20m2 tokë për bahçe, dikush djeg 24 hektarë pyll, bën një dëm të jashtëzakonshëm. Ndaj i lutem të gjithëve të tregojnë kujdes, të telefonojnë 112 nëse ka probleme me zjarrin. Shteti sigurisht që duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, por shteti nuk mund të jetë kudo i pranishëm nëse qytetarët vetë dëmtojnë pronën publike ose nuk tregojnë gatishmëri në rast rreziku dhe nevoje”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ishte në zonën e Shkozës në kryeqytet ku nisën punimet për shtrimin e 22 rrugëve. Punimet aty sipas Veliajt janë rezultat i votës që qytetarët dhanë për punën në Tiranë.

“Jam i lumtur sepse isha këtu ditën e fundit të fushatës dhe gjithmonë njerëzit kanë atë skepticizmin dhe thonë: A do të kthehen ndonjëherë?! Më vjen mirë që një muaj më pas kthehemi po te kjo zonë me një investim të filluar, me një premtim të mbajtur brenda muajit, për të siguruar çdo njeri, që kush votoi për punën, punë do të marrë, kush votoi për llafet dhe për gjumin gjumë, do të marrë llafe. Ndaj, besoj që kemi bërë vendimin e duhur. Siç e shikoni vetëm pak metra më tej është kufiri i Tiranës së vjetër me Tiranën e Re, ku janë rreth 2500-3000 banorë, e për herë të parë fusim një investim”, tha më tej kryebashkiaku.

Në këtë zonë mbizotërojnë ndërtimet e pas viteve ’90. Me investimin e nisur parashikohet sistemimi i rrjetit të Ujësjellës Kanalizimeve, asflatimit të rrugëve dhe sistemit të ndriçimit.

Top Channel