Kriza e re e Europës; Ballkani

28/07/2017 00:00

Përplasjet me Bashkimin Europian, e veçanërisht me Gjermaninë dhe aleatet e saj, po forcojnë lidhjet mes Turqisë dhe Rusisë.

Në një artikull të gjatë “Washington Post” analizon kursin e ri të Ankarasë dhe përfshirjen e mundshme në të të Ballkanit. Sipas prestigjozes amerikane, miqësia turko-ruse mund të çojë në një rivizatim kufijsh në gadishull.

“Tingëllon e vështirë, por jo e pamundur”, thotë autori i shkrimit, Walter Russell Mead.

Sipas tij, aktorët kryesorë janë Shqipëria dhe Serbia. Dy vendet, të nxitura nga Ankaraja dhe Moska, thotë ai, mund të bien dakord në ndryshimin e kufijve, ku Kosova t’i bashkohej Shqipërisë dhe zonat serbe në Bosnje, Serbisë.

“Rusët jo thjesht urrejnë NATO-n, por shohin edhe Bashkimin Europian si barrierë për influencën dhe rolin e tyre në çështjet europiane, ndërsa Turqia i është kundërvënë BE-së dhe veçanërisht Gjermanisë dhe aleateve të saj”, thotë artikulli.

Për Walter Russel Mead, pika më e dobët për të trazuar Europën e ku Turqia e Rusia kanë ndikim të madh është Ballkani.

“Për Rusinë dhe Turqinë, mundësia për të trazuar Europën përmes Ballkanit është një sipërmarrje me rrezik dhe kosto të ulët, që vështirë se mund të anashkalohet prej tyre”, vijon autori.

Walter Russell Mead thotë se Turqia tregoi me nënshkrimin e marrëveshjes për blerjen e një sistemi raketor rus se në NATO është thjeshtë si emër, jo si rol.

Ai vazhdon në analizën e tij duke thënë se Berlini është duke u përpjekur të shmangë këto skenare duke nxitur perspektivën e integrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor me një sërë nismash, e sidomos me dy aktorët kryesorë; shqiptarët dhe serbët.

Top Channel