
Palestinezët u rikthyen në një prej vendeve më të shenjta në Jeruzalem, për herë të parë në dy javë, pasi autoritetet izraelite çmontuan pajisjet e shumëkundërshtuara të sigurisë.
Barrierat metalike dhe skelat u hoqën të enjten në mëngjes, dy ditë pasi ishin larguar që aty detektorët e metaleve.
Mijra besimtarë vërshuan në kompleksin e njohur si ‘Haram Al Sharif’ për palestinezët dhe ‘Mali Tempull’ për hebrenjtë, pasi liderët myslimanë i dhanë fund bojkotit dy javor.
Turma qytetarësh palestinezë u panë teksa këndonin e kërcenin brenda kompleksit, para se të merrnin pjesë në lutjet e pasdites. Pati gjithashtu raportime për disa përleshje, ndërsa policia kufitare përpiqej të kontrollonte fluksin e madh të njerëzve.
Autoritetet izraelite shtuan kontrollet e sigurisë në kompleks, pas vrasjes së dy policëve. Kjo shkaktoi revoltë mes palestinezëve, të cilët janë përplasur thuajse çdo ditë me forcat izraelite. 4 palestinezë u vranë dhe 3 civilë izraelitë u qëlluan për vdekje, me thikë, nga një mysliman, që tha se po hakmerrej kundër veprimeve të Tel Avivit, në vendin e shenjtë.
Tensionet mes dy vendeve u rritën ndjeshëm javën e kaluar, kur presidenti i autoritetit palestinez Mahmud Abas, tha se do të pezullonte të gjitha kontaktet me Izraelin, përfshirë edhe bashkëpunimin për sigurinë, derisa autoritetet do të hiqnin masat e reja në Tempullin e shenjtë.
Përpjekje të mëdha diplomatike u bënë për zgjidhjen e krizës, ku u përfshinë edhe SHBA-ja dhe Jordania.
Top Channel