Meta-Zaharieva: Reforma në drejtësi, forcim i luftës kundër korrupsionit

26/07/2017 00:00

Kreu i shtetit Ilir Meta është takuar me zv.kryeministren për reformën gjyqësore dhe ministren e jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta mbi rëndësinë e reformës në drejtësi dhe implementimin e saj si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve dhe luftës kundër korrupsionit.

Kreu i Shtetit shqiptar, duke pasur parasysh qëndrimin e qartë për ripërtëritjen e politikës së zgjerimit si  një përparësi e presidencës së ardhshme bullgare të BE-së në gjysmën e parë të 2018-s, shprehu besimin në mbështetjen e fuqishme të Bullgarisë për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në gjirin e familjes evropiane.
 
Presidenti Meta përshëndeti rolin e Bullgarisë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në kuadër të nismave dhe organizatave rajonale në funksion të qëndrueshmërisë, zhvillimit dhe orientimit euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Top Channel