
Beteja gjyqësore për t’i dhënë mundësinë për të jetuar fëmijës së tyre 11 muajsh, i prekur nga një sëmundje e rrallë, tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës, por tani duket se prindërit e Charlie Gard janë dorëzuar.
Ishte avokati i familjes që fillimisht bëri të ditur se çifti britanik kishte hequr dorë nga transferimi i vogëlushit në Shtetet e Bashkuara, ku do t’i nënshtrohej kurave eksperimentale.
Ata ishin bindur se për fëmijën tashmë ishte shumë vonë dhe se dëmet në muskujt dhe indet e tij janë të pakthyeshme.
Më vonë prindërit konfirmuan atë që cilësuan si vendimin më të vështirë të jetës së tyre.
“Kjo është një prej gjërave më të vështira që kemi thënë apo kemi bërë ndonjëherë. Ne duhet ta lëmë të shkojë djalin tonë të bukur, Charlie”, tha babai i tij.
Kur lindi, në 4 gusht të 2016-ës, ai ishte i shëndetshëm, por pas rreth një muaji, prindërit Chris Gard dhe Connie Yates, vunë re se fëmija i lëvizte me shumë vështirësi gjymtyrët.
Mjekët zbuluan më pas se ai ishte i prekur nga një sëmundje e rrallë gjenetike, që shkakton dobësimin progresiv të muskujve dhe dëme cerebrale.
Në tetor të 2016-ës, fëmija shfaqi probleme të rënda në frymëmarrje dhe u shtrua në spitalin “Great Ormond”, e që atëherë është mbajtur në jetë artificialisht. Në janar të 2017-ës, prindërit e Charlit nisën një fushatë për mbledhjen e fondeve, për ta çuar në SHBA, ku do t’i mundësoheshin kura eksperimentale.
Mjekët e spitalit “Grand Ormond” kundërshtuan, duke thënë se terapia nuk do të përmirësonte cilësinë e jetës së Charlit.
Rasti u zvarrit nëpër gjykata, të cilat refuzuan kërkesën e prindërve. Një shpresë e fundit u ofrua nga insitucionet amerikane, që u ofruan të ndihmojnë Charlin. Prindërit e çuan në gjyq edhe këtë betejë të fundit, deri në vendimin e së hënës.
Top Channel