Kërkesat për azil, zëvendësministrja takohet me ambasadoren e Luksemburgut

25/07/2017 00:00

Forcimi i bashkëpunimit dhe plani i masave për reduktimin e kërkesave për azil nga qytetarë shqiptarë në vendet e BE-së ishte çështje kryesore e diskutuar gjatë një takimi të zhvilluar sot mes zëvendësministres së Punëve të Brendshme, Rovena Voda dhe ambasadores së Luksemburgut, Nadia Ernzer.

Palët ranë dakord për të iniciuar një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, për shkëmbimin e informacionit për çështjet e migracionit dhe azilit.

Lidhur me çështjen e azilkërkuesve minorenë, zv/ministrja Voda informoi ambasadoren Ernzer se deklarata noteriale shoqëruese që do të plotësohet nga prindërit, do të përmbajë të dhëna të detajuara. Ato do t’i dërgohen vendeve të interesuara, nëse do të ketë shkelje të afateve. Ajo theksoi se reforma në drejtësi pritet të përmirësojë aftësinë ndëshkuese të organeve ligjzbatuese edhe në kontekstin e këtij fenomeni.

Gjithashtu do të ketë një fushatë intensive për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, për të mos shkelur rregullat e lëvizjes në zonën Shengen.

Ambasadorja konfirmoi se Luksemburgu mbetet një ndër shtetet kryesore mbështetëse të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

Top Channel