
Stephan Albani, ligjvënës i CDU-së në Bundestagun gjerman dhe President i Grupit Parlamentar gjerman për Çështjet e Europës Jug-lindore, e thotë fort e qartë se ka një konsensus mes qeverisë në Berlin dhe Parlamentit për mbështetjen që u duhet dhënë shteteve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt stabilitetit politik dhe zhvillimit ekonomik.
Ne nuk mund të sajojmë shtigje të shkurtra për të mbërritur atje, thekson deputeti kristian-demokrat.Kriteret e anëtarësimit janë të drejta e të rëndësishme, e duhen plotësuar dhe Gjermania mund të japë ndihmën e saj, shton ai.
“Kjo është dhe ideja pas procesit të Berlinit të ndërmarrë nga Kancelarja Angela Merkel. Paralelisht me negociatat e anëtarësimit, ne duam në nivel BE-je të ndihmojmë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së rajonit politikisht dhe ekonomikisht. Në këndvështrimin tonë, çështje të një rëndësie jetike mbeten lufta kundër korrupsionit, problemet e rinisë, shkëmbimet akademike dhe shoqëria civile”, thotë Stephen Albani.
Ai nuk pret ndryshime të politikës gjermane në raport me zgjerimin pas zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës.
“Ashtu si në të kaluarën, në të CDU-CSU-së e mbeshtesim në vazhdimësi perspektivën e anëtarësimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Rajoni ka potencial të madh dhe është strategjikisht i rëndësishëm për BE-në në raport me interesat e Rusisë dhe politikën e saj të destabilizimit. Qëkur i ofruam Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të zi dhe Bosnje Hercegovinës një perspektivë të tillë në 2003-shin, si pjesë e axhendës së Selanikut, përkrahja për to ka qenë një prej objektivave të politikës tonë të jashtme”, thekson ai më tej.
Duke iu referuar situatës në Shqipëri, deputeti gjerman kujtoi se gjatë fushatës socialistët shprëhen mbështetje për reformat që do të ndihmojnë rrugën e vendit drejt BE-së, e thotë se shpreson që ekzekutivi i ri t’i vendosë ato në jetë, duke rritur kështu besimin e shqiptarëve tek demokracia.
Edhe ai, si shumë zyrtarë të tjerë përpara tij, u ndal në mënyrë të veçantë tek reforma e gjyqësorit. Albani kujtoi më tej sesi angazhimi i vendit është shumëplanësh, duke përmendur këtu faktin që Gjermania është kthyer për shumicën prej shteteve të mësipërme, në partnerin më të rëndësishëm tregtar e atë të zhvillimit, ndërsa marrëdhëniet reciproke optimale janë kultivuar edhe në nivel parlamentar.
Top Channel