Lista e Interpol: 173 kamikazët e mundshëm të ISIS-it

23/07/2017 00:00

Interpoli ka hedhur në qarkullim një listë me emrat e 173 luftëtarëve të të vetëshpallurit  Shtetit Islamik që beson se janë trajnuar për të kryer sulme kamikaze në Europë në shenjë hakmarrjeje për disfatat e grupit në Lindjen e Mesme.

Lista e agjencisë globale që lufton krimin është hartuar nga zyrtarë të zbulimit amerikan bazuar në informacione të mbledhura gjatë operacioneve në territoret e ISIS në Siri dhe Irak.

Rrjetet europiane antiterrorizëm janë të shqetësuara se ndërsa kalifati i ISIS-it po bie, po rritet rreziku i kamikazëve që kërkojnë të lënë gjurmë në Europë, ndoshta edhe duke vepruar të vetëm. Nuk ka prova që personat që ndodhen në listë, emrat e të cilëve i disponon tashmë britanikja “The Guardian”, kanë hyrë në Europë, por Interpoli e ka hedhur listën në qarkullim me qëllim që të shihet nëse inteligjenca europiane ka ndonjë detaj mbi individët e përfshirë në të dhe për të nënvizuar shkallën e sfidës me të cilën përballet Europa.

Lista e përcakton grupin e luftëtarëve si individë që mund të jenë trajnuar për të ndërtuar dhe vendosur mjete shpërthyese me qëllim që të shkaktohen viktima të konsiderueshme. Besohet se ata mund të udhëtojnë në çdo vend dhe të marrin pjesë në aktivitete terroriste, nënvizon Interpoli.

Lista mban emrat e të dyshuarve, datën e rekrutimit të tyre nga ISIS, adresën e fundit të njohur të tyre përfshirë xhaminë në të cilën faleshin, emrin e nënës dhe ndonjë fotografi.

Për çdo person në listë është krijuar një ID për të garantuar që çdo vend në rrjetin e Interpolit, të mund të ketë akses tek të dhënat. Interpoli po ashtu u kërkon vendeve anëtare që të japin çdo informacion që mund të kenë për emrat në listë.

Top Channel