Zgjedhjet në PD, proces i qetë në degët me më shumë anëtarë

22/07/2017 00:00

80 mijë demokratë kanë të drejtë vote sot për të zgjedhur kryetarin e ri të Partisë Demokratike. 71 degët lokale në të gjithë vendin janë hapur në orën 8 të mëngjesit deri në orën 19.

Vetëm dega numër 2 e PD ka qëndruar e mbyllur pasi anëtarët e saj votojnë në selinë qëndrore të PD, ndërsa në degët e tjera anëtarët kanë votuar pranë zyrave përkatëse.

Por si votojnë demokratët për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë për 4 vitet e ardhshme? Përveç vulave me logon e PD, në tryezën e komisionit të votimit gjendet edhe lista me anëtarët e secilës degë.

Pas hedhjes së votës, në dhomën e fshehtë, fleta e votimit hidhet në kutinë që mban numrin e qendrës. Anëtarët e komisionit thonë për Top Channel se procesi ka qënë i rregullt dhe pjesëmarrja e kënaqshme.

“Procesi ka shkuar normalisht, ka pasur fluks njerëzish që kanë votuar prej orës 8, kur hapëm qendrën e votimit”, thotë një komisionere.

“Numri i votuesve është 1.344 me të drejtë vote, deri tani kanë votuar mbi 250”, saktëson një tjetër.

Ajo çka ra në sy në disa qendra votimi ishte fotoja e kandidatit për kryetar të PD, Lulzim Basha. Edhe ata që nuk e kanë emrin në lista kanë patur mundësi të votojnë përmes kartës së vjetër të anëtarësisë, pavarësisht faktit se nuk e kanë rifreskuar në kohën e dixhitalizimit dy vjet më parë.

“Personat që kanë kartë anëtarësie ndër vite por nuk e kanë emrin në lista mund të votojnë duke lënë kartën, fotokopjen e kartës së identitetit dhe natyrisht të njihen nga komisioni, që duhet të bjerë dakord i gjithi”, sqaron komisionerja.

Pjesëmarrja në degën e PD në Kamëz ka qenë e kënaqshme, kryesisht në orët e paradites. “Dega e Kamzës ka rreth 5 mijë e 700 anëtarë. Deri tani pjesëmarrja është shumë e madhe, siç e tregojnë dhe radhët”, thotë një komisioner.

Ndër të parët që kanë votuar ka qenë edhe kryetari i bashkisë, Xhelal Mziu, i cili ka patur një mesazh për ata që e bojkotojnë procesin.

“Le t’i lënë interesat e tyre të ngushta të karriges, por të japin kontributin e tyre për PD dhe demokracinë përmes votës”, ka deklaruar Mziu.

Edhe në Vorrë pjesëmarrja ka qenë e kënaqshme dhe procesi i qetë. “Deri në këtë orë kanë votuar rreth 230 anëtarë të PD”, thonë komisionerët.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, në orën 19, kutitë me materialet zgjedhore do të dorëzohen pranë selisë së PD, ku do të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave.

Top Channel