Turistët kthehen në Kos. Pas tërmetit, rinis jeta në ishull

22/07/2017 00:00

Pas tërmetit 6.7 ballësh që shkaktoi 2 të vdekur e me dhjetëra të plagosur, turistët kanë nisur të rikthehen në plazhet e ishullit grek të Kosit, ndonëse frika e përsëritjes së lëkundjeve të dhunshme të tokës nuk është fashitur ende.

“Jam shumë e frikësuar vërtet, natën sidomos, sepse ka pasur dhe lëkundje të tjera. Ndaj akoma nuk jemi të qetë”, thotë Dominique Pollynk, turiste holandeze.

Disa të tjerë e kanë prerë biletën e kthimit. “Ne do kthehemi të hënën, kështu që edhe për dy netë të tjera do të na duhet të flemë jashtë”, thotë Rutger, një tjetër turist nga Holanda.

Ndërsa vendasit duken më pak të trembur. “Jeta vazhdon e pavarësisht kësaj që ndodhi, çdo gjë do të rrjedhë normalisht. Tani ne duhet të kënaqemi e të argëtohemi edhe më shumë se më parë”, thotë Ibrahim Kounelakis, pronar taverne.

Ndërsa turisti britanik Andreë Simmons është më optimist se holandezët. “Pas 24 orësh nuk ka më probleme, çdo gjë i është kthyer normalitetit. Hoteli ku po qëndrojmë është i mrekullueshëm. E sistemuan çdo gjë menjëherë, aq sa duket sikur tërmeti nuk ka rënë kurrë”, thotë Simmons.

Dëmtime megjithatë pati. E gjithë zona e vjetër e Kosit, plot me bare e klube argëtimi, u mbush me tulla dhe copëra të ndërtesave. Hotelet e ishullit mbeten me xhama të thyer e dëme të tjera duke detyruar qindra turistë të kalojnë pjesën e mbetur të natës jashtë.

Në mesin e objekteve të prekura ishte edhe një xhami e vjetër, minarja e së cilës u rrëzua, si dhe një fortesë e shekullit XIV në hyrje të portit kryesor të ishullit.

Pesë janë personat që kanë marrë plagë të rënda nga tërmeti i së premtes dhe të gjithë ata janë transportuar me helikopter në spitalin e Kretës.

Top Channel