Telenovela “Neymar”, çfarë kaosi shpërtheu te Barcelona

21/07/2017 00:00

Neymar vazhdon të mbajë në ankth tifozët e Barcelonës. Tentativat e njëpasnjëshme të Paris Saint Germain dhe heshtja e futbollistit të lënë të mendosh për një transferim të futbollistit në kryeqytetin francez.

Klubi transalpin vetëm një ditë më parë doli hapur me anë të Emeri që konfirmoi se Neymar është një prej objektivave të merkatos.

Por Barcelona me anë të presidentit Bartomeu ngriti një mur duke përdorur klauzolën e Neymar, e cila kap shifrën e 222 milionë eurove, që mesa duket Al Khelaifi është gati ta paguajë. “Neymar nuk është në merkato”, tha Bartomeu. “Për më tepër ai ka në kontratën e tij një klauzolë që klubet që duan të respektojnë Fair Play Financiar, nuk janë në gjendje që ta paguajnë. Nëse ato duan ta thyejnë këtë rregull atëherë klauzola e Neymar mund të aktivizohet”.

Me pak fjalë, Bartomeu la të nënkuptojë se nëse PSG do të këmbëngulë në këtë qëndrim të tij, Barcelona do të kërkojë ndërhyrjen e UEFA.

Në këtë pikë, ai që merr peshë është vullneti i vetë Neymar, i cili e ndjen se do të jetë gjithnjë i dyti pas Messit, ndërkohë që ai dëshiron të jetë simbol i skuadrës. Së fundmi në median braziliane, por edhe atë spanjolle po flitet se Neymar u ka komunikuar miqve të tij kalimin te parizienët, ndërkohë që kjo histori pasurohet me një kapitull tjetër.

Sipas “Catalunya Radio”, babai i Neymar ka arritur tashmë një akord me Paris Saint Germain duke bërë që kjo media të theksojë se transferimi i brazilianit në Paris është i kryer në masën 95%.

Top Channel