Punonjësit e hoteleve në Greqi kanë bojkotuar punën të enjten në një grevë kombëtare 24 orëshe, në mesin e sezonit turistik për të protestuar kundër reformave të qeverisë në tregun e punës.

Atyre iu bashkuan edhe punonjësit e restoranteve, të cilët u mblodhën në qendër të Athinës e marshuan para sajteve të frekuentuara nga turistët duke mbajtur në duar slogane para konfederatës së turizmit në vend.

Greqia shpreson jo pak tek turizmi për të dalë nga kriza e thellë e borxheve dhe vera është kulmi i sezonit turistik. Sektori i turizmit zë 18 përqind të prodhimit ekonomik të vendit dhe punëson një të pestën e forcës së saj punëtore.

Disa turistë, sidoqoftë, u solidarizuan me punonjësit, ndërsa të tjerë thanë se greva ishte e papërshtatshme në mesin e sezonit turistik.

“Nëse ata hyjnë në grevë do të thotë se nuk paguhen aq sa duhet, ndaj duhet të vlerësohen për këtë që po bëjnë”, thotë një turiste.

“Më duket e tepruar. Ekonomia është në gjendje jo të mirë dhe kjo grevë vjen në një moment jo të përshtatshëm”, shprehet një tjetër.

Sindikata e punëtorëve po proteston kundër reformave që do ta hapin sektorin ndaj formave fleksibile të punës, një pagë më të ulët minimale dhe që do të dobësojë kontratat e punës. Por, zyrtarët e sindikatës thanë se pjesëmarrja në grevë ishte e ulët, veçanërisht në Athinë.

Protestat dhe grevat e organizuara nga sindikatat kanë qenë të shpeshta në Greqi, edhe pse ndonjëherë me pjesëmarrje të pakët, kjo për shkak të masave të kursimit të cilave i është nënshtruar prej vitesh vendi.

Top Channel