Gjendet e gjallë adoleshentja gjermane e ISIS-it

20/07/2017 00:00

Forcat irakiane të sigurisë thonë se kanë marrë kontrollin e plotë të Mosulit, qyteti i dytë më i madh në vend që prej më shumë se 3 vitesh ndodhej nën terrorin e ISIS-it.

Qeveria thotë se ushtarët janë duke “pastruar” shtëpitë nga militantët e mbetur, pjesa më e madhe e të cilëve zgjedhin të dorëzohen, ndërsa ka të tjerë që gjenden të plagosur nën rrënojat e bombardimeve, por edhe nga ata që vrasin veten pa u zënë rob.

E mes të plagosurve dhe në gjendje të rënduar psikologjike u gjet edhe një 16-vjeçare gjermane. Adoleshentja Linda Wenzel iu bashkua korrikun e kaluar grupit terrorist. Gjithçka nisi pas divorcit të prindërve të saj në Dresden, në Gjermaninë Lindore.

Alarmi i dhënë asokohe nga e ëma e vajzës ishte me vonesë, pasi vajza e saj kishte fluturuar për në Turqi dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë.

Ushtari irakian që e gjeti 16-vjeçaren gjermane tha për mediat se kujtoi se bëhej fjalë për një nga shumë skllavet e seksit që mbante peng ISIS-i dhe vetëm më vonë mësoi se e reja ishte bashkuar vullnetarish grupit të terrorit, e madje ka qenë edhe pjesë e famëkeqes “policia e femrave”, të cilat kontrollonin rrugët e Mosulit për zbatimin e “kodit strikt të veshjes” dhe veshur mbanin edhe një brez me lëndë shpërthyese, të gatshme për t’u vetëvrarë në çdo moment.

Fqinjët në Dresden e përshkruajnë Lindën si një nxënëse shembullore, e cila u mbyll shumë në vetvete pas divorcit të prindërve të saj.

Ndërkohë, “Bild” shkruan se adoleshentja pritet të rikthehet në Gjermani për të lënë pas traumën që ka kaluar në Mosul.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel