Vendimi i qeverisë greke për të vendosur një taksë shtesë për telefonat inteligjentë, dhe për tabletet ka shkaktuar reagime të mëdha në vend.

Ligji në fjalë, që është diskutuar ditë me radhë, pavarësisht se ka pasur shumë kundërshtime është miratuar në Parlament. Në bazë të tij, do të ketë një taksë shtesë në shitjen e kompjuterave, skanerave, printerave, aparateve fotografikë, por edhe tableteve dhe smartphoneve.

Kjo taksë, që do të jetë nga 2- 6 përqind e vlerës së çmimit, do të sjellë në arkat e shtetit mbi 100 mln euro, për të cilat qeveria thotë se do t’i shpërndajë tek krijuesit shpirtërorë, artistët shkrimtarët, apo disa shkencëtarë.

Ligji përfshin çdo kompjuter me memorie RAM mbi 4 GB që do të taksohet me 2 përqind të vlerës. Gjithashtu, me 6 përqind mbi vlerën e deritanishme do të shiten edhe disqet e arkivimit me madhësi mbi 1 TB dhe me 4 përqind aparatet fotografike, skanerat dhe printerat.

Përveç reagimit nga qytetarët dhe grupet e interesit, edhe zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas ka deklaruar para disa orësh se Brukseli po shqyrton urgjent çështjen nëse kjo taksë në favor të një pale të tretë është në përputhje me objektivat e marrëveshjes së ndihmës, e cila parashikon se Athina duhet të heqë në mënyrë graduale këto lloj taksash dhe jo t’i vendosë vetë, pa u konsultuar me kreditorët.

Top Channel