Kontrolle për udhërrëfyesit turistikë

16/07/2017 00:00

Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut ka ndërmarrë një inspektim gjatë këtij muaji, për të kontrolluar zbatimin e nenit 61 për udhërrefyesit turistikë të huaj.

Inspektimi u shtri në gjithë territorin e vendit nga Shkodra deri në Sarandë, duke përfshirë vendet më të frekuentuara nga turistët e huaj, përfshi parqet arkeologjike, muzeumet, kështjellat, monumentet historike dhe kulturore, etj

Sot operojnë 199 udhërrëfyes turistikë të çertifikuar të ndarë në tre kategori; udhërrëfyes kombëtarë, lokalë dhe të specialitetve të veçanta të cilët shërbejnë në të gjithë territorin e vendit.

ISHMT thotë se u konstatua se nga veriu në jug, në muzeume e parqe arkeologjike ligji është duke u zbatuar dhe udhërrefyesit e lejuar janë ata të liçencuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Grupet e inspektimit kanë kryer kontrolle dhe në pikat kufitare si Hani i Hotit, Muriqan, Kapshticë dhe Qafë Thanë. Në pikat kufitare janë vendosur njoftimet për udhërrëfyesit e huaj dhe rregullat që ata duhet të zbatojnë në territorin shqiptar.

Po kështu njoftime janë vendosur në kështjella, në muzeme, parqe, por dhe në strukturat akomoduese, të cilat kanë frekuentim nga turistë të huaj, si në qytetet Shkodër, Lezhë, Gjirokastër, Sarandë, Berat, Pogradec, Korçë, Vlorë etj.

Inspektimet e para nga ISHMT ishin kryesisht informuese dhe paralajmëruese, ndërsa gjatë kontrolleve në vazhdim do të aplikohen gjoba në rast shkeljeje të ligjit për turizmin.

Top Channel