Rama dërgon kontroll te Arsimi, Karabina: E mirëpres

15/07/2017 00:00

Të hënën në Ministrinë e Arsimit mbërin një grup kontrolli me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Sipas këtij urdhri objekt i kontrollit do të jenë procedurat e ndjekura për menaxhimin e burimeve njerëzore gjatë vitit 2017.

Grupi i kontrollit i cili përbëhet nga Merita Bundo dhe Denata Stoja do të verifikojë të gjithë procedurat për punësimet e bëra gjatë vitit 2017 si në administratën e ministrisë së Arsimit ashtu dhe në institucionet e varësisë. Të paktën kjo përcaktohet në urdhrin e dalë nga kryeministria.

Por konflikti ndërmjet ministres teknike të Arsimit Mirela Karabina dhe sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, Plarent Ndreca duket se vijon të jetë i ndezur. Ndonëse ministrja e Arsimit e konsideron të pezulluar nga puna, ky i fundit deklaron se vazhdon të jetë në krye të detyrës, madje firmosi dhe pagat e punonjësve më datën 5 korrik. Menjëherë pas mbërritjes së urdhrit nga kryeministria, ministrja e Arsimit ka nxituar të shpërndajë atë për media duke specifikuar se kontrolli nuk ushtrohet ndaj ministres por ndaj sekretarit të përgjithshëm.

Pasi sipas saj është kompetencë e sekretarit të përgjithshëm të menaxhojë burimet njerëzore. Në njoftimin për shtyp të shpërndarë mediave theksohet gjithashtu se Plarent Ndreca ka menaxhuar burimet njerëzore deri në momentin kur ministrja Karabina e pezulloi nga detyra, pasi është në hetim penal për shpërdorim detyre nga prokuroria.

Madje, për këtë thuhet në njoftim është informuar mbi pesë herë edhe kryeministri. Gjithësesi ministrja e Arsimit deklaron se do të bashkëpunojë me grupin e kontrollit që nis punë ditën e hënë.

Top Channel