Milan po konfirmohet si mbreti i kësaj merkatoje verore, me plot 10 futbollistë të afruar, në rreth një muaj nga fillimi i merkatos.
Menjëherë pasi kanë zyrtarizuar afrimin e Lucas Biglias dhe veçanërisht të Leonardo Bonuccit, kuqezinjtë kanë piketuar një tjetër mbrojtës.
Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin argjentinas të Celta Vigos, Facundo Roncaglia, ndaj të cilit drejtuesit e Milanit kanë bërë një ofertë zyrtare dhe janë në pritje të përgjigjes së spanjollëve.
30 vjeçari është një njohës i mirë i Serisë A, pasi është aktivizuar për 3 sezone me Fiorentinën dhe një me Genoan, duke luajtur rreth 100 ndeshje në total.
Drejtuesit e Milanit janë duke punuar edhe për një afrim në repartin e sulmit, ku krahas emrave të Aubameyang dhe Kaliniç, orët e fundit ka dalë në skenë edhe sulmuesi i Real Madrid, Alvaro Morata.
Por, krahas merkatos në hyrje, kuqezinjtë po punojnë edhe për largimin e futbollistëve të panevojshëm dhe me valixhe gati janë De Sciglio dhe Lapadula.
Sulmuesi pritet të kalojë te Genoa, sipas formulës huazim me detyrim blerjeje, ndërsa mbrojtësi pret ofertën e Juventusit. Por, në orët e fundit juventinët kanë pikasur edhe një tjetër element të kuqezinjve.
Bëhet fjalë për mesfushorin e ri Manuel Locatelli, i cili do ta ketë të vështirë të gjejë vend në mesfushën e mbipopulluar të ekipit të Montella-s.
Top Channel