Castro kritikon Trump, po minon lidhjet mes dy vendeve

15/07/2017 00:00

“Linja e ashpër që po ndjek Donald Trumpi ndaj Kubës, po minon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pas rivendosjes graduale të lidhjeve diplomatike në 2015-ën”, u shpreh presidenti kuban Raul Castro, gjatë një fjalimi në parlament të premten.

Castro kritikoi kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë, për përmbysjen e pjesëshme të politikave të paraardhësit të tij për afrimin me shtetin komunist.

Komentet vijnë më pak se një javë para përvjetorit të dytë të rihapjes së ambasadës së Havanës, në Washington, më 20 korrik.
Raul Castro

“Njoftimet e bëra nga presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, shënojnë një hap prapa në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ne refuzojmë manipulimet që po bëhen me çështjen e të drejtave të njeriut në Kubë dhe nuk pranojmë leksione nga Washingtoni apo ndonjë vend tjetër”, tha Raul Castro.

Përpara një turme aktivistësh anti-Castro në Miami të Flordias, Donald Trump njoftoi në muajin qershor shtrëngimin e rregullave për amerikanët që udhëtojnë drejt Kubës, shpalli të jashtëligjshme lidhjet me kompanitë turistike të drejtuara nga ushtria dhe rikonfirmoi embargon ekzistuese tregtare ndaj ishullit të izoluar.

Masat e reja dhe forcimin e embargos ekzistuese që prej vitit 1962, udhëheqësi kuban i cilësoi si një ringjallje të retorikës së vjetër e armiqësore që karakterizonte luftën e ftohtë.

Presidenti shtoi se Kuba mbetej e hapur për negociata lidhur me çështje të interesit dypalësh, por duke theksuar se sovraniteti dhe pavarësia e vendit janë të paprekëshme.

Top Channel