Tirana policentrike, studentët prezantojnë projektet

14/07/2017 00:00

Krahas legalizimit në Tiranë do të vijojë puna me urbanizimin, duke qënë se janë rreth 160 mijë objekte të ndërtuara në kundërshtim me ligjin dhe kjo për kryebashkiakun Veliaj kërkon një vendimmarrje të guximshme.

“Shoh shumë njerëz që gabimisht mendojnë seproblemi janë ndërtimet me leje. Unë si kryetar bashkie, them s’është kështu. Në Tiranë janë një problem ndërtimet pa leje. Ne si Bashki, ndërtime me leje kemi dhënë 16, ndërtime pa leje në Tiranë janë 160 mijë. Këtë si do e adresojmë? Si integrohen, si urbanizohen? Ndaj besoj se projekti kyç është projekti i Tiranës policentrike”, tha ai.

Kreu i Bashkisë deklaroi se në bashkëpunim dhe me qeverinë, po punohet që krahas legalizimit, të vijojë puna për urbanizimin e këtyre zonave në mënyrë që qytetarët të marrin të gjithë shërbimet e nevojshme aty ku ata jetojnë.

Veliaj shprehu bindjen se zgjidhja për zhvillimin e ardhshëm të kryeqytetit është krijimi i Tiranës policentrike. Kjo ka qënë në fokus të një takimi të tij me studentë të fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh me punimet e studentëve në ekspozitën e hapur në ambientet e Piramidës, ndërsa premtoi se për projektet më të mira do të shihet mundësia që ato të realizohen. “Do ta marrim shumë seriozisht çdo propozim konkret. Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi sepse besoj që kemi talente të jashtëzakonshëm në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj në takimin me studentët.

Ai vlerësoi se pavarësisht debateve që mund të shkaktojnë projekte të ndryshme, sikurse ka ndodhur edhe në Tiranë, ato krijojnë një pikë referimi për zhvillimin e ardhshëm të qytetit.

Top Channel