
Gjyshërve dhe të afërmve të tjerë të personave që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, nuk mund t’iu ndalohet hyrja në tokën amerikane. Me vendimin e tij, gjykatësi Derrick Watson në Hauai e zbuti kështu dekretin e presidentit Trump për ndalimin e udhëtimit, duke i dhënë një tjetër goditje ligjore masave energjike të tij kundër emigracionit.
Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e vendosi pjesërisht në fuqi urdhrin ekzekutiv të shefit të Shtëpisë së Bardhë, që u ndalonte hyrjen refugjatëve dhe udhëtarëve nga 6 vende me shumicë myslimane. Por gjykatësi Watson thotë se, administrata amerikane e interpretoi atë shumë ngushtësisht, duke dalë në përfundimin se vetëm familjarët e afërt mund ta gëzonin të drejtën e udhëtimit në SHBA, e duke rreshtuar në “listën e zezë” gjyshërit, tezet, hallat, nipërit e të tjerë si ata.
“Logjika e thjeshtë e vullneti i mirë e diktojnë që te pjesëtarët e ngushtë të familjes të përfshihen edhe gjyshërit. Ata në fakt janë mishërimi i familjarit të ngushtë”, tha Derrick Watson, gjykatës.
Watsonit i ishte kërkuar nga shteti i Hauait të interpretonte vendimin e Gjykatës së Lartë, që tregoi se ndalimi 90-ditor vlen për refugjatët dhe qytetarët nga Irani, Siria, Somalia, Libia, Jemeni dhe Sudani, përveç rasteve kur ata kanë familjarë apo marrëdhënie të mira me kompani amerikane.
Disa gjykata më të ulëta në SHBA e kishin bllokuar dekretin e presidentit, me argumentin se përbën diskriminim fetar, por Trump e apeloi çështjen, duke siguruar në fund një lloj fitoreje derisa Gjykata e Lartë të dalë me një vendim përfundimtar mbi këtë çështje.
Top Channel