Reforma në Drejtësi, më 1 gusht hyn në fuqi KPP

13/07/2017 00:00

Më 1 gusht hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, që do të thotë se pas kësaj date do të ndryshojnë disa nga rregullat e procedimit dhe gjykimit penal.

Ekspertët e nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi u shpjeguan avokatëve, në një seminar të posaçëm, risitë e Kodit të Procedurës Penale, një prej të cilave është ajo e dëshmitarit me identitetit të fshehur dhe që nuk u prit mirë nga mbrojtja.

“Në seancë ai do të na vijë me identitet të fshehur, por edhe me zë dhe fytyrë të ndryshuar. Ku ta dimë ne se kush është ai”, tha Saimir Vishaj, avokat.

“Pse duhet prania e avokatit atëherë për t’u pyetur ky person, kur nuk e di kush është ky person, për çfarë ta pyesë?”, tha Ferdinand Ndoja, avokat.

Eksperti i nivelit të lartë, Artan Hoxha u ndal te pika më e rëndësishme, siç është ngritja e SPAK-ut.

“Gjykon veprat penale që lidhen me korrupsionin; me krimin e organizuar, që nga grupi i strukturuar kriminal, organizatat e bandat; si dhe të gjitha veprat penale të kryera nga subjektet e posaçme që i ka listuar, nga Presidenti i Republikës, gjyqtarët e me radhë. Çdo vepër që ata mund të kryejnë për shkak të rrethanave, një aksident automobilistik, rrahje apo vrasje, të cilat për nga pikëpamja e lëndës nuk janë në kompetencën e gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por që bëhen kompetencë e saj për shkak të subjektit”, tha Artan Hoxha, dekan i Fakultetit të Drejtësisë.

Megjithatë juristët janë të paqartë se çfarë do të ndodhë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas 1 gushtit, nëse kjo gjykatë sipas përcaktimeve ligjore do të shpallë moskompetencën për vepra që i hiqen asaj, sikurse veprat terroriste, vrasja në familje, apo trafikimi, çështje të cilat duhet të kalojnë në gjykatat e zakonshme.

Top Channel