Qëndrimi i Britanisë, BE: Negociatat mund të dështojnë

13/07/2017 00:00

Bashkimi Europian tha se bisedimet për “Brexit” mund të dëmtohen ndjeshëm, madje të dështojnë, si pasojë e përballjes së ashpër për çështjet financiare.

Tensioni në këtë pikë u rrit ndjeshëm, pasi ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson deklaroi shprehimisht se udhëheqësit e BE-së mund të shkojnë të vërshëllejnë, nëse presin që Britania të paguajë faturën e divorcit.

Gjatë komentit të tij në Parlamenti britanik, Johnson tha se fatura e kërkuar nga BE-ja është thjesht zhvatje. I menjëhershëm ishte reagimi i kryenegociatorit europian, Michel Barnier, i cili tha se nuk ka dëgjuar vërshëllima, por vetëm kohën që po kalon.

Të hënën nis raundi i radhës i bisedimeve mes Brukselit dhe Londrës, ndërsa Sekretari britanik për “Brexit”, David Davis nuk ka paraqitur ende pozicionin formal të Britanisë për shumën e ndarjes, që disa e llogarisin në 100 miliardë euro.

Zyrtarët e BE-së ngulin këmbë se Britania duhet të pranojë parimisht detyrimet financiare, pasi nëse nuk e bën, nuk mund të vazhdojnë negociatat për çështje të tjera, si raportet e ardhshme dhe tregtia.

Kryenegociatori i BE-së theksoi sërish se fatura e “Brexit” nuk është haraç dhe as ndëshkim, por thjesht detyrimet që Londra ka marrë përsipër si pjesë e BE-së. Ai shtoi se, nëse Britania nuk e respekton këtë, negociatat nuk kanë më kuptim, pasi është e pamundur të ndërtohen lidhje tregtare apo në fusha të tjera me një vend tek i cili BE-ja nuk ka besim.

Ekspertët thonë se, veç financave, çështje tejet problematike janë të drejtat e qytetarë reciprokë dhe kufiri me Irlandën e Veriut, ku BE-ja dhe Britania kanë pozicione të kundërta, gjë që i bën negociatat të fundosen ende pa nisur mirë.

Top Channel