
Ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, Chuck Blazer është ndarë nga jeta, gjë që është konfirmuar nga përfaqësuesit e tij ligjorë.
Blazer, i cili ka qenë edhe në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Konfederatës së futbollit të Amerikës së Veriut dhe asaj Qendrore, CONCACAF, ishte një ndër personazhet e përfshirë në skandalin e korrupsionit të FIFA-s, që shpërtheu në vitin 2015.
Blazer u dënua me përjashtim të përjetshëm nga qeveria e futbollit botëror, ndërkohë që u shpall fajtor edhe nga drejtësia për akuzën e marrjes dhe dhënies së ryshfeteve. Po kështu, Blazer u akuzua edhe për thyerjen e rregullit të besnikërisë, për nxjerrjen e sekretit dhe përfshirjen në konflikt interesi.
Që nga viti 2013, Blazer kishte arritur një pakt me organet hetimore amerikane, duke nisur bashkëpunimin me Prokurorinë. Ishin pikërisht dëshmitë e tij që shkaktuan tërmetin e madh në FIFA, duke detyruar më pas Sepp Blatterin që të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit të institucionit, me zviceranin që është përjashtuar për 6 vite nga të gjitha aktivitetet, nga Komisioni i Etikës së FIFA-s.
Top Channel